Sunday, July 4, 2010

Poezia e protestës së Zhaneta Ogranajt


PARTIA IME ESHTE POPULLI IM
-Poezia e protestës së Zhaneta Ogranajt-

Nga KOLEC TRABOINI


Që në rininë e saj Zhaneta Ogranaja ra në sy si një poete me talent e me të ardhme, me aq mundësi të pakta sa mund të kishte një krijues në diktaturë. Poezitë e saj ishin lirike dhe pëlqeheshin nga lexuesit, por dikujt i vriste sytë shkëlqimi i talentit të Zhanetës dhe e burgosën për shkak të shpirtit të saj të lirë. Edhe në burg duke parë një realitet poshtërues ndaj të cilit kishte fare pak rezistencë, shkruante: “ Medet- Asnjë, për shpërblimin e lirisë s’e ngre zënë/qoftë dhe kur uji u hyn në palcë në trupat lakuriq”.
Pas shumë viteve burg ajo e priti shembjen e diktaturës si një rilindje e vertetë fizike e shpirtërore, mirëpo shumë shpejt poetja e ndjeshme do të zhgënjehej. Shumë ëndërrime që t`i përndizte liria do t’i veniteshin. Horizontit të shoqërisë shqiptare do të shfaqej një tymnajë përngjashëm me atë që një poet si Ali Asllani do ta quante që herët në vitet `40 të shekullit të kaluar “Kohë e maskarejve”, ku: “ të papunë i gjeti dreka, milionerë i gjeti darka”. Shkuar pas këtij rendi, disa servilë të politikes një b. për dy karrike, ia dolën të mbijetonin e të dilnin në elitën politiko-shoqërore të kohës si vaj mbi lakër, por edhe mjaft të përzgjedhur të real-soc-it, që ishin beniaminë të spërdredhur të regjimit shtypës, bënë goxha karrierë pas shembjes së diktaturës duke u shfaqur me një shkëlqim të rremë si politikanë, shtetarë e diplomatë, duke i harruar idealet e shkrimtarëve të vërtetë e duke vënë pasuri me të dyja duart.
Përkundër kësaj lukunie, një poete si Zhaneta Ogranaja u la në varfëri, u braktis, sepse ajo siç nuk e bëri rolin e servilit poetik në të djeshmen, s'mund ta bënte as në të sotmen për sundimtarët e rinj. Për këtë e dënuan, jo me burg natyrisht, por me braktisje e heshtje, pasi ata që mbajnë skeptrin në të gjitha hallkat e piramidës së shtetit dhe politikës nuk mund t’i përtypnin vargjet e saj: "Partia ime është populli i varfër i rënduar nga çmimet”/ Partia ime është populli im, i thjeshtë, i uritur...." apo më tej: “ Po iki prap` me zhgënjimin për gjithçka/ nga politika, demokracia dhe miqtë/nga smirëzinjtë, që shtiren si shpëtimtarët e mi, ata/që me të keq ma kanë mua dhe Shqipërisë.( botuar në gazetën "Egnatia" Athinë 1994).
Në parathënien " Dy fjalë për veten" të librit të saj, poetja shkruan: "Karrierës sime letrare i kanë zënë çdo shteg, bile me pusi të shëmtuara dhe banale, misterioze, me akuza të verbra, duke më rrasur burgjeve, nga burg shtëpiak, burg social dhe doemos, burg shtetëror.”.
Gjithçfarë shkruante dje e shkruan sot Zhaneta Ogranaja është vërtet drithëruese. Eshtë dhimbje, thirrmë proteste ndaj atyre që i rrëmbyen dikur lirinë, apo të tjerëve që lirinë e saj, fituar pas vite robërie e viktimizuan për hir të interesave të karrierës e pasurive personale. Eh, sa pak gjëra kanë ndryshuar në shoqërinë shqiptare që nga koha e Migjenit, më të madhit poet shqiptar, shkëlqimi i të cilit veç rritet duke zënë kryevendin e letërsisë shqipe, sepse art i tij ishte e mbeti mishërim i idealeve njerëzore, art i protestës e jo i lajkave, art i revoltës për padrejtësitë, çfarë ata që shkruajnë sot dhe kërkojnë skeptrin as kanë guximin qytetar ta mendojnë e jo më ta trajtojnë.
Ata e kanë më të lehtë të kërkojnë thërrime të përgjakura tek sofra diktatorit ku kriminelët i hanë kokën njëri-tjetrit, se sa ta prekin kokrrën e misrit migjenian nga frika se i “shiton zana”.
Demagogjia krejt përngjashëm më të djeshmen nuk ka fund. Thonë se arti është i lirë, ndërkohë artistët e vërtetë i lënë të vdesin në varfëri, pa harruar që kur të ndërrojnë jetë t’i qajnë me lot krokodili.
Në këtë sens, ndoshta Zhaneta është sot zëri më i guximshëm e më i veçantë i protestës kundër hipokrizisë bashkohese, falsitetit e hipokrizisë që sundon në shoqërinë shqiptare. Por në të njëjtën kohë, zëri që nuk duan ta dëgjojnë e për më tepër, zëri që duan ta mbysin sepse e vërteta është si Dielli që, kur e sheh me sy, të verbon nëse je urith i vrimave të nëndheut.
Zhaneta Ogranaja është poetja që e anashkalojnë se u çjerr maskën shumëkujt në këtë shoqëri të pamëshirshme dhe aspak humane. Këtë poete e kanë halë në sy edhe ata që trumbetojnë vuajtjet e veta nën diktaturë duke u paraqitur si viktima të mëdha me të vetmin qëllim - përfitime materiale, duke qënë pikërisht ata që u bënë promotorë për t’u shkaktuar vuajtje të tjerëve. A e dini se kush i ka shkaktuar vuajtjen e re, plagë mbi plagë Zhaneta Ogranajt? Pikërisht ata që e monopolizuan vuajtjen e popullit nën diktaturë për t’u shfaqur si sundimtarë të rinj. Mjerisht ky lloj pisllëku i dy sistemeve ia ka arritur qëllimit. Mjafton të shohësh kush ka ardhur në krye të punëve në dy dekadat e fundit dhe çfarë meritash kanë që janë me të prapmen në majë të kolltukëve. Edhe në prerjen historike, paraardhësit e këtij lloj pisëllëku kanë bërë rolin e puthadorëve të tërë sistemeve, madje kanë qenë dylberë të devotshëm të pushtuesve. Harrojnë këta mjeranë që kanë pas shpatullave hiç-kurrë-mosgjënë, se janë kalimtarë dhe kur të kenë ikur, po ashtu hiç-kurrë-mosgjë prej tyre ka për të mbetur, ani pse sot fryhen në media si gjela deti në fund të dhjetorit... Paçin fatin e tyre!
Fati i poetëve dihet dhe kurrnji prej atyre që vërtet janë poetë nuk do të kishin kurrfarë dëshire për të patur fat tjetër nga ai që kanë përshkuar, anipse plot vuajtje e tundime. Edhe Zhaneta po ashtu. Poezia e saj është dhimbja e popullit, atij që e quan partia ime, të cilit i dërgon vargjet e zemrës së saj, me zogjtë, me qiellin, me erën... gjithnjë e gjithnjë.

No comments:

Post a Comment